Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim
"Nënë Tereza" Prizren

Historiku

Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nënë Tereza” në Prizren është i vetmi institucion edukativo-arsimor në Kosovë që bën arsimimin, edukimin dhe rehabilitimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar në dëgjim dhe në të folur.
Qendra është themeluar në janar të vitit 1950 në Mitrovicë, me emrin “Shkolla për nxënësit me të meta dëgjimi”. Në janar të vitit 1951 Kuvendi i Kosovës bazuar në vendimin me nr.1925 themeloi shkollën për nxënësit më të meta dëgjimi dhe në të folur në Prizren.
Shkolla në fillimet e saj është përballur me kushte të vështira për punë, në fillim është punuar në një barakë, ndërsa më vonë u ndërtua shkolla e re me kushte më të përshtatshme për arsimim. Në vitin shkollor 1969/70 për shkak të kapacitetit të vogël si dhe numrit të madh të nxënësve, shkolla u zgjerua me një aneks të ri shkollor.
Në vitet 1970/71, për herë të parë filloi të zhvillohet procesi edukativo-arsimor në gjuhën shqipe, ku mësuesi i parë ishte Z.Qemail Besimi…. Ndërsa në vitin 1972 Kuvendi i Kosovës nxori ligjin mbi shndërrimin e shkollës speciale në Qendër Shkollore.

Deri në vitin 2006 ka funksionuar si shkollë speciale dhe më pas u transformua në Qendër Burimore për të mbështetur nxënësit me nevoja të veçanta arsimore dhe mësimdhënësit e tyre në shkollat e rregullta. Zyrtarisht ky transformim u funksionalizua në vitin 2013, ku u hartua edhe udhëzimi administrativ për qendrat burimore (UA 23/2013).
Qendra Burimore “Nënë Tereza” funksionon drejtpërdrejt nën administrimin e MASHTI-it
dhe ka dy funksione kryesore:
1) Funksionin si shkollë speciale për nxënësit me aftësi të kufizuara të rënda dhe të shumëfishta dhe sigurimin e akomodimit në konvikte për ata që kanë nevojë;
2) Ofrimin e shërbimeve mbështetëse në shkolla të rregullta për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.

Mësimi i gjuhës së shenjave cilësohet thelbësor në qendrën tonë dhe synon që përmes komunikimit në gjuhën e shenjave të arrihen rezultatet e synuara akademike të nxënësve me aftësi të kufizuar në dëgjim dhe në të folur.

Shërbimet tona

Mësimdhënësit udhëtues

Përmes mësimdhënësve udhëtues QBMK "Nënë Tereza" ofron mbështetje për nxënësit me aftësi të kufizuar në dëgjim dhe në të folur, në të gjitha shkollat e rregullta në tërë teritorin e Kosovës..

Interpretimi në gjuhën e shenjave

Përmes interpretimit të gjuhës së shenjave ofrohet informacion i plotë dhe i saktë për nxënësit e shurdhër dhe personat që dëgjojnë, nga gjuha shqipe në gjuhën e shenjave dhe anasjelltas.

Trajnimi i gjuhës së shenjave

Mësimi i gjuhës së shenjave cilësohet thelbësor në qendrën tonë, njohja e Gjuhës së Shenjave rrit ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballet çdo ditë komuniteti i të shurdhërve.

Kujdesi infermieror

24 orë kujdes shëndetësor dhe higjienik për nxënësit e shkollës

Kabineti i biologjisë

Përmes paisjeve konkretizuese nxënësit tanë janë më afër informacionit në lëndët: Kimi, Fizikë dhe Biologji.

Kabineti i informatikës

Vendi i përdorimit të paisjeve të TIK-ut gjatë mësimnxënies dhe mësimdhënies me qëllim të ngritjes së rezultateve akademike përmes vizualizimit.

Dhoma e terapisë muzikore

Vendi ku mbahet ora e edukatës muzikore dhe terapia muzikore. Vlera edukative e mësimit muzikor është mjaft e madhe, sepse përmes ndikimit direkt në sferën emocionale të nxënësve merr pjesë në formimin e personalitetit të tyre

Shërbimet mbështetëse

Instruktorët e gjuhës së shenjave

Instruktorët e gjuhës së shenjave janë mësimdhënës të certifikuar të cilët mbajnë trajnime për mësimin e gjuhës së shenjave. Mësimi i gjuhës së shenjave cilësohet thelbësor në qendrën tonë dhe synon që përmes komunikimit në gjuhën e shenjave të arrihen rezultatet e synuara akademike të nxënësve të shurdhër. Realizimi i mësimit të gjuhës së shenjave ofrohet përmes projektorëve dhe videove të ndryshme duke përdorur forma të ndryshme të praktikës. Gjatë mësimdhënies instruktorët i kushtojnë rëndësi realizimit të duhur të lëvizjeve, orientimit, formës së dorës, shprehjes së fytyrës dhe vendit të artikulimit të shenjës.

Mësuesit udhëtues

Mësuesit udhëtues janë profesionist në fushën e edukimit për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore, puna e tyre fokusohet jashtë qendrës burimore për të ofruar mbështetje ndaj nxënësve dhe mësimdhënësve në shkolla të rregullta, por edhe brenda qendrës në shërbimet e mbështetjes. Mësuesit udhëtues kanë rol shumë dimensional dhe për veç mbështetjes specifike për nxënës me aftësi të kufizuara dhe vështirësi në mësim ata mbulojnë edhe fushat tjera që lidhen me promovimin e arsimit gjithëpërfshirës si: - Identifikimin e nevojave për mbështetje te fëmijët me nevoja të veçanta në shkolla; - Vlerësimin e nevojave për mbështetje pedagogjike; - Përkrahin procesin e transicionit të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore nga qendrat burimore në shkollat e rregullta; - Këshillimin e mësimdhënësve, shërbimeve pedagogjike dhe drejtorëve; - Dhënien e këshillave lidhur me paisjet dhe materialet e nevojshme për nxënësit; - Hartimin, shkrimin dhe rishikimin e Planit Individual të Arsimit (PIA) në bashkëpunim me mësimdhënësit dhe prindërit; - Intervenimin dhe përgatitjen e planeve mësimore; - Monitorimin e përparimit të arritjeve për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore; - Ofron rekomandime dhe sugjerime për të krijuar materialet didaktike;

Shërbimet psikologjike

Qendra Burimore “Nënë Tereza” ofron shërbime psikologjike për nxënësit e shkollës. Psikologu zhvillon profilet e nxënësve në bashkëpunim me mësimdhënësit. Diskuton me mësimdhënësit lidhur me nxënësit të cilët kanë nevojë për ndihmë ose kanë probleme personale. Punon me nxënës për të zhvilluar strategji efektive të të nxënit , të zhvillimit personal e social. Psikologu në shkollë zhvillon këshillime individuale e grupore që përqendrohen në funksionimin e shëndetshëm të të nxënit. Mbi bazën e hulumtimeve, të dhënave të mbledhura dhe të analizuara zhvillon plan programe afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata që kanë qëllim nxitjen e të nxënit dhe përshtatjen e nxënësit dhe personelit në shkollë.

Interpretimi në gjuhën e shenjave

Duke marrë parasysh që në qendrën tonë mësimi zhvillohet në gjuhën e shenjave, një faktor mjaft me rëndësi është interpretimi si urë lidhëse e komunikimit mes personave të shurdhër dhe atyre që dëgjojnë. Interpretimi ndihmon në ofrimin e informacionit të plotë dhe të saktë për nxënësit e shurdhër dhe personat që dëgjojnë, nga gjuha shqipe në gjuhën e shenjave dhe anasjelltas. Gjithashtu interpretimi në klasa ka për qëllim mbështetjen dhe arritjen e rezultateve arsimore të përcaktuara nga kurrikula. Mbështetja nga interpretuesit realizohet edhe gjatë takimeve, aktiviteteve, këshillimeve, në zgjidhjen e problematikave të ndryshme në mes të nxënësve

Mjedis mësimor që mundëson akses, akomodim dhe mbështetje për të gjithë nxënësit pa dallime

Mbrojtja

Fëmijët me aftësi të kufizuar në dëgjim dhe në të folur, sikurse të gjithë fëmijët tjerë kanë të drejtë të mbrohen nga abuzimi, neglizhimi, shfrytëzimi dhe diskriminimi.

Pjesëmarrja

Fëmijët me aftësi të kufizuar në dëgjim dhe në të folur, sikurse të gjithë fëmijët tjerë kanë të drejtë të jenë pjesëmarrës kudo në shoqëri, të ndihen të barabartë, të respektuar dhe vendimmarrës

Kujdesi

Fëmijët me aftësi të kufizuar në dëgjim dhe në të folur, sikurse të gjithë fëmijët tjerë kanë nevojë për kujdes, edukim, standard adekuat të jetës dhe shërbime efikase

Liria e fjalës

Fëmijët me aftësi të kufizuar në dëgjim dhe në të folur, sikurse të gjithë fëmijët tjerë kanë të drejtë të shprehin lirshëm mendimin e tyre dhe të dëgjohen me vëmendje

Një opinion nga prindërit
Si prind e konsideroj shumë të rëndësishme që vajza ime ndihet e vlerësuar në shkollë, ka përfituar nga ky institucion duke u përgatitur për jetë dhe në të ardhmen shpresoj që të punësohet në profilin që është shkolluar. Për stafin e shkollës kam respekt dhe vlerësim maksimal sepse janë aty për vajzën time kurdo që është e nevojshme. Një gjë mjaft me rëndësi e cilësoj interpretimin në gjuhën e shenjave në këtë shkollë, gjë që nuk u mundësohet fëmijëve në shkolla të rregullta në vendin tonë.
Rrahim Berisha

Mirë se vini në QBMK "Nënë Tereza" Prizren